Dje Kuvendi i Shqipërisë votoi ligjin për amnistinë penale.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh se, e kishte paralajmëruar qysh në fillim të këtij sesioni parlamentar se amnistia do të kalonte me mbi 100 vota.
Manja tha se, “kur gazetarët e nderuar më kanë pyetur në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë se “ku do ti gjesh votat”, jam përgjigjur me bindje se votat janë brenda kësaj salle dhe kam drejtuar gishtin nga salla e seancave plenare. Si Ministër Drejtësie, kam propozuar ligjin në qeveri me shpresën për të marrë të njëjtën mbështetje edhe në parlament nga deputetët e të gjitha prurjeve politike. Dëshiroja të ruhej tradita e mirë që ka dominuar në atë sallë, sa herë ka patur votime për amnistinë penale përtej llogoreve politike e të mos isha unë “sebepçiu” i prishjes së kësaj tradite të mirë, nga të paktat që është ruajtur në atë sallë, nga ajo lloj politike e kulture balte që ka mbjellë ajo sallë në sytë e shqiptarëve. Gjithashtu, dëshiroja që puna e ekspertëve të cilët punuan me draftin e amnistisë të respektohej dhe të ishte larg çdo ndikimi politik, për të siguruar një akt mëshire për ata që kanë rënë në konflikt me ligjin penal, siç ua ka garantuar Kushtetuta dhe ligji”.
“Dje, kjo ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë! Amnistia mori 116 vota pro në parim, ruajtëm traditën e mirë të asaj salle dhe votuam një produkt ligjor të punuar nga ekspertë të fushës! Por, asaj salle sigurisht që nuk do t’i mungojnë kulisaxhinjtë politikë dhe shpirtzinjtë e lindur që shohin “djallin” edhe aty ku humanizmi e mëshira janë qëllimi i vetëm i një ligji amnistie”, theksoi ministri.
Sipas tij, dje, u pa qartë kush e përdori votën për qëllimet e ligjit dhe kush e përdori për politikë. “Të bësh politikë me hallin e tjetrit është gjëja më e ulët për një qenie humane që në vend të zemrës një Zot e di se çfarë ka”, tha Manja.
“Si Ministër Drejtësie, sot ndihem krenar, që me durim dhe këmbëngulje, 116 ligjvënës votuam ligjin e amnistisë që kaluam në qeveri me zero përfitim për subjektet e SPAK dhe GJKKO”, u shpreh Manja.
Manja falënderoi kolegët në qeveri dhe parlament që i dhanë besimin e tyre dhe e mbështetën deri në fund, pa u lëkundur në asnjë moment me votën e tyre, gjithashtu deputetët e opozitës që bashkuan votën me PS, dhe mediet, për sensibilizimin e secilit prej deputetëve për domosdoshmërinë e bërjes së amnistisë pas një mungese për më shumë se 4 vjet nga amnistia e fundit e vitit 2020.
“Tani, u takon atyre që ngarkon ligji ta zbatojnë me korrektësi dhe pa vonesë këtë amnisti të shumëpritur dhe ndoshta të vetmen të kaq shumë debatuar politikisht e mediatikisht. Gjithsesi, mirënjohje pafund për këdo që e mbështeti këtë akt humanizmi, që asesi nuk do të jetë e fundit për atë sallë”, u shpreh Manja./ata