Oda Tregtare Maqedoni-Türkiyes (MATTO) ka shtruar sonte një darkë tradicionale iftari në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Të pranishëm në darkë ishin ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, deputetë, përfaqësues të pushtetit gjyqësor dhe lokal, ambasadorë, afaristë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij pas darkës së iftarit, ambasadori Ulusoy, i cili është edhe president nderi i MATTO-s, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi MATTO-n për organizimin e iftarit.

“Jam shumë krenar që jam me ju, të dashur miq, në Shkup, kryeqyteti i vendit vëlla dhe mik që ndodhet në zemër të Ballkanit, Maqedonisë së Veriut. Fillimisht dua t'ju përcjell përshëndetjet më të ngrohta të Presidentit të nderuar, zotit Recep Tayyip Erdoğan”, tha ambasadori Ulusoy.

Ai rikujtoi se ka marrëdhënie shumë të ngushta mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se edhe pse të dy vendet nuk ndajnë një kufi të përbashkët, Türkiye e konsideron Maqedoninë e Veriut si shtet fqinj të saj.

Ambasadori Ulusoy theksoi se Maqedonia e Veriut, nga aspekti i bashkëjetesës së etnive dhe kulturave të ndryshme në respekt dhe besim të ndërsjellë, paraqet një shembull shumë të vlerësuar si për Ballkanin, ashtu edhe për rajonet e tjera të botës.

“Turqit që jetojnë me shekuj në Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e shpërngulur në të kaluarën nga Maqedonia e Veriut në Türkiye, zënë një vend të jashtëzakonshëm për vendet tona dhe thellojnë marrëdhëniet midis kombeve tona çdo ditë që kalon. Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e vendit në çdo fushë”, tha ambasadori Ulusoy.

Ai shtoi se pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, Türkiye, përmes institucioneve të saja, vazhdimisht thellon lidhjet e saj ekonomike dhe investimet në vend, në një sërë fushash të udhëhequra nga arsimi, kultura, shëndetësia, industria e mbrojtjes, turizmi dhe ndërtimtaria.

Ai theksoi se Türkiye është partneri i shtatë më i madh i Maqedonisë së Veriut në tregtinë e jashtme, duke shtuar se tregtia dypalëshe mes vendeve ka arritur një nivel të konsiderueshëm prej një miliardë dollarësh në vitet e fundit.

“Në fund të fjalimit, dua edhe një herë të theksoj vullnetin tonë të fortë për t’i çuar edhe më përpara lidhjet midis Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes në fushën e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës, mbrojtjes dhe të gjitha fushat e tjera. Gjithashtu i shpreh falënderime për këtë iftar MATO-s, e cila çdo ditë e më shumë forcon lidhjet midis dy vendeve vëllazërore. Ju falënderoj që më dëgjuat. Shfrytëzoj rastin që t’ua uroj festën e Pashkëve pjesëtarëve të besimit të krishterë. Po ashtu uroj që të kaloni një Bajram të lumtur javën e ardhshme së bashku me të dashurit tuaj. Allahu na e pranoftë agjërimin”, tha në fund ambasadori Ulusoy.

 

- “Në frymën e kësaj darke iftari, të bëjmë gjëra sa më të bukura në vendin tonë”

Fjalim kishte edhe kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski, i cili falënderoi të gjithë ata që e pranuan ftesën që "të ndajmë këtë darkë iftari të gjithë së bashku në frymë vëllazërimi, bashkimi".

“Shpresoj që në frymën e kësaj darke iftari të bashkohemi, të jemi shumë më të afërt, edhe më afër Zotit dhe të bëjmë gjëra sa më të bukura në vendin tonë të vogël, por modest dhe të bukur”, tha Ademoski.

Ai po ashtu ua uroi festat e ardhshme të Pashkëve partnerëve të biznesit dhe miqve të besimit ortodoks, ndërsa pjesëtarëve të besimit islam u uroi që të kalojnë momente të mira në ditët e fundit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe festës së Ramazan Bajramit./aa