Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka mbajtur takimin e shtatë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarët e komunave, me qëllim të bashkërendimit të ndërinstitucional mes Qeverisë dhe pushtetit lokal në shërbim të qytetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me kryetarët e komunave, tha se e gëzon fakti që buxheti i komunave sivjet është 742 milionë euro, 195 milionë euro më shumë se sa në vitin 2021, kur ka filluar mandatin qeveria e udhëhequr nga ai.
Duke folur për fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, Kurti tha se nevojitet bashkëpunim i ngushtë edhe mes Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe komunave. Ai tha se cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes, si qendrore edhe lokale, për planifikim, e zbatim më të drejtë.
"Në këtë regjistrim të popullsisë për herë të parë është përfshirë pyetësori për dëmet nga lufta 1998-1999, në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët do të mund t'i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999", theksoi Kurti.
Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati kërkoi nga kryetarët e komunave që të mbështesin stafin që është në terren nga komuna përkatëse, sepse qëllimi është që asnjë familje dhe individ të mos mbetet pa regjistruar.
Ai tha se regjistrimi i popullsisë është obligim ligjor dhe dënimet për mospjesëmarrje në regjistrim janë nga 20 deri në 2 mijë euro. "Një person i cili nuk është në evidenca, në regjistra edhe shërbimet, duke filluar nga komunat dhe niveli qendror, llogaritet që nuk ekziston", theksoi Kastrati.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se informacioni i grumbulluar nga sistemet e zakonshme të regjistrimit të popullsisë përdoret për qëllime planifikimi, buxhetimi dhe taksimi; për përcaktimin e përmbushjes së kritereve për të zgjedhur dhe për të patur akses ndaj arsimimit, kujdesit shëndetësor, sigurimeve shoqërore, sistemeve të ndihmës ekonomike dhe pensioneve.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë filloi më 5 prill dhe përfundon më 17 maj./aa