Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar një raketë antianije të lëshuar nga grupi Houthi i Jemenit në Detin e Kuq, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

“Nuk ka pasur lëndime apo dëme të raportuara nga SHBA-ja, koalicioni apo anijet tregtare”, tha CENTCOM në X.

CENTCOM tha se përcaktoi se raketa paraqiste “kërcënim” për forcat e SHBA-së dhe koalicionit dhe anijet tregtare në rajon.

“CENTCOM është i përkushtuar për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe për t’i bërë ujërat ndërkombëtare më të sigurta për koalicionin dhe anijet tregtare”, shtoi ai.

Grupi Houthi i Jemenit ka shënjestruar anije mallrash në Detin e Kuq në pronësi ose operim të kompanive izraelite ose që transportojnë mallra drejt dhe nga Izraeli në solidaritet me Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme izraelite që nga 7 tetori.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi së fundmi krijimin e një misioni shumëkombësh, operacionin “Gardiani i Prosperitetit”, për të kundërshtuar sulmet e Houthive./aa