Një 28-vjeçare shqiptare e Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj. Raportohet se çifti janë nga Mitrovica, ndërsa viktima është identifikuar si Jetmira Beka, nënë e tre fëmijëve.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një marketi në Aachen të Gjermanisë, mbrëmjen e së shtunës. Disa orë më vonë në polici u dorëzua një 37-vjeçar, ish-bashkëshorti i të ndjerës, që dyshohet se e vrau atë, raporton “Bild”.

Kryeprokurorja e Aachenit, Katja Schleknermann-Pitts bëri të ditur të hënën për “Bild”, se bëhej fjalë për një çift që ishin ndarë. Ajo tha më tej se nuk dihen ende motivet e vrasjes.

 

Krimi ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës në mbrëmje, në sy të klientëve. Policia kishte rrethuar vendin e krimit dhe zonën përreth.

Çifti ishin divorcuar për shkak të dhunës që ish-burri kishte ushtruar ndaj 28-vjeçares.

 

Në momentin e vrasjes së Jetmirës, ishte e pranishme edhe motra e saj. I dyshuari ndodhet në paraburgim që nga e diela.