Në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme prej 4 marsit vijon kampionati i ekipeve sportive.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale momente nga ndeshjet e zhvilluara në shkollat e vendit.
“Mes entuziazmit të tifozëve prindërve, mësuesve dhe nxënësve, po përfundojnë me sukses ndeshjet e Kampionatit të Basketbollit dhe Volejbollit për gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare, ku ekipet fituese do të përfaqësojnë qarkun në kampionatin rajonal”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “në Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, i japim më shumë zë lëvizjes sportive në shkolla, nxisim dhe inkurajojmë të rinjtë të merren me aktivitet fizik si një gjuhë universale dhe një mjet për arsimimin, shëndetin, përfshirjen sociale, zhvillimin e rinisë dhe krijimin e një mjedisi bashkëpunues dhe paqësor”.
6 Prill, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetesës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të krijohet mjedis i paqtë promovues dhe me akses në sport për sa më shumë të rinj dhe jo vetëm./ata