Në ish-burgun e Spaçit, në Mirditë, do të ngrihet ekspozita “E Kaluara e Tashme”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale posterin e kësaj ekspozite, që do ngrihet për të qëndruar përgjithmonë në Spaç të Mirditës.
Gonxhja tha se, 49 portretet e ish të burgosurve politik që janë ende në jetë, bashkë me rrëfimet e tyre do të jenë të hapura për publikun që prej datës 13 prill 2024 e në vazhdim.
“Kushdo mund të shoh trupëzimi i 49 portreteve në një skulpturë të vetme e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror. Kjo ekspozitë është një akt artistik-kulturor i cili finalizohet me praninë e publikut, rinisë, institucioneve, dhe të gjithëve si aktorë aktiv të ndërtimit të një shoqërie”, u shpreh ministri.
Historitë dhe vuajtjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, vijnë përmes kësaj ekspozite, me krijimin e skulpturave nga Kristian Zara. Teksa kurator të ekspozitës janë Arnen Sula dhe Kristian Zara.
Projekti është konceptua dhe realizua nga Tek Bunkeri, financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (2023-2024).
Qëllimi i ekspozitës është të treguarit e kësaj pjese të historisë shqiptare me anë të krijimit të një skulpturë monumentale e cila do të qëndrojë përgjithmonë në Spaç./ata