Nis sot punimet në Tiranë takimi i Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit i cili do të pasohet nga Konferenca dedikuar Investimeve në Turizëm dhe Zhvillimit Ekonomik në Europë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga videoja prezantuese e Shqipërisë dhe potencialeve të saj turistike në këto aktivitete të rëndësishme.

Ministrja vlerësoi se përgjatë tre ditëve, 7-9 prill, Tirana do të kthehet në një pol dinamik të zhvillimeve në turizëm dhe këto evente ngrenë në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë.

“Ditë të mbarë me entuziasmin dhe ndjesitë e Shqipërisë turistike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen sot delegacioneve të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të zhvillimeve në turizëm dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”, u shpreh ministrja.

Kumbaro u shpreh se ky është i pari organizim i këtij lloji në vendin tonë që iu besua nga kolegët europianë ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Këto dy aktivitete do të sjellin autoritetet më të larta të turizmit ndërkombëtar në Tiranë, duke e shndërruar kryeqytetin në kryeqendër të eventeve.

Ky është i pari organizim i këtij lloji në vendin tonë që iu besua ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Pasditen e kësaj të diele pritet mbërritja e delegacioneve të UNWTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.

Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.” Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.

Një ditë më parë ministrja Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj./ata