Delegacioni i Hamasit ka diskutuar me shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamal, për armëpushimin në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve me Izraelin.
Në një deklaratë nga Hamasi thuhet se delegacioni që ka mbërritur në kryeqytetin egjiptian Kajro u takua me shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamal.
Në takim, delegacioni i Hamasit krahas paraqitjes së kërkesave kombëtare të lëvizjes kërkoi një marrëveshje që do të sigurojë ndalimin e plotë të sulmeve të Izraelit, tërheqjen nga Rripi i Gazës, rikthimin me lehtësi në vendet e tyre të banimit për palestinezët e zhvendosur me forcë, hyrjen e ndihmave për palestinezët dhe fillimin e rindërtimit.
Krahas kësaj, delegacioni njoftoi se Hamasi është i gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbimin e pengjeve e cila parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve.
Delegacioni thekson këmbënguljen e Hamasit për arritjen e qëllimeve kombëtare me të gjitha grupet palestineze, krijimin e një shteti palestinez plotësisht sovran me kryeqytet Kudsin, rikthimin e palestinezëve në vendet e tyre dhe të drejtën e tyre për të përcaktuar vetë fatin tyre.
Ishte theksuar se dje në Kajro do të rifillonin negociatat për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve dhe në Rripin e Gazës ku Izraeli vazhdon sulmet e tij që nga 7 tetori. Kanali televiziv "Al-Qahera News", në lajmin e tij të bazuar në zyrtarë të lartë egjiptianë njoftoi se "Kajro të dielën do të presë takime lidhur me çështjen për sigurimin e qetësisë në Gaza".
Ndërsa sipas deklaratës së dy zyrtarëve të lartë që kanë folur për faqen "Walla" me qendër në Izrael thuhet se edhe drejtori i Mossad-it, David Barnea dhe kreu i inteligjencës së brendshme Shin-Bet (Shabak) Ronen Bar do të shkojnë në Kajro për raundin e ri të negociatave për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Rripin e Gazës./aa