Pse nuk shkarkohet Rektori i Universitetit të Mjekësisë, z. Arben Gjata, kur ndaj tij ka akuza edhe nga SPAK?! – Për këtë temë është pyetur sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, Prof. Asoc. Dr. Sandër Kovaçi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë.

“Edhe në rastin e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, që nuk është rast sporadik, por na rezulton se disa rektorë janë të ndjekur penalisht nga SPAK, disa të deklaruar, disa jo të deklaruar, është e njëjta situatë që ata nuk japin dorëheqjen, por guxojnë dhe duan të rikandidojnë për postet e tyre, - tha z. Kovaçi.  

“Ne si sindikatë, meqenëse janë zgjedhjet për rektorë të universiteteve më 28 qershor, kemi mbajtur qëndrimin që asnjë nga këta persona që janë të akuzuar apo të akuzuar publikisht nga SPAK a institucione të tjera të drejtësisë ligjzbatuese, nuk kanë moralin të konkurrojnë. Por nëse konkurojnë, ata duhet se s’bën të marrin një përgjigje, një votë jo nga profesorati.

Në rastin e Rektorit të Mjekësisë, ai rezulton në dhjetëra borde. Se si mund të bëhet detyra kur je në dhjetëra borde, vetëm ai mund ta analizojë. Disa organizata të besueshme të shoqërisë civile kanë nxjerrë që ai paguhej deri në 6 milionë lekë (të vjetra) në muaj, pagesa të ndryshme për këto borde përfshirë edhe rrogën e tij si Rektor dhe natyrisht, persona të tillë, të cilët janë të kapur në aktivitete ekonomike me segmente të qeverisë apo të atyre poshtë niveleve të dyta po në ministrive, natyrisht që nuk janë të interesuar për hetime të fenomeneve të tilla siç ishte problemi i Sterilizimit, por janë pjesë siç thotë populli, “pjesë e tavës”./Syri