Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Sipas vendimit, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për pushtetin vendor.

Vendimi përcakton dhe detyrat dhe përgjegjësitë e AMVV-së.

AMVV mbështet ministrinë në përgatitjen e mendimeve për projektakte ose dokument tjetër, që kanë të bëjnë me çështje që lidhen me njësitë e vetëqeverisjes vendore ose decentralizimin; monitoron zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore dhe planin përkatës të veprimit; informon periodikisht institucionet publike, grupet e interesit dhe qytetarët për çështjet që lidhen me vetëqeverisjen vendore; siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore dhe vendore për zgjidhjen e problematikave të ndryshme, si dhe harton raporte e analiza periodike për këto çështje; ofron këshillim ligjor ose teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore, vetëm ose në bashkëpunim me struktura të tjera, për ushtrimin ose përmirësimin e punës në ushtrimin e funksioneve të tyre; mbledh të dhëna prej njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe të institucioneve qendrore për çdo tregues, që lidhet me performancën e njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe kontribuon në matjen e performancës së njësive të vetëqeverisjes vendore. Bazuar në të dhënat e mbledhura, sipas parashikimeve të kësaj pike, harton Raportin Vjetor Kombëtar, që përfshin analizën tërësore të të gjitha të dhënave dhe rekomandon masa për njësitë e vetëqeverisjes vendore për përmirësimin e dhënies së shërbimeve.

Po ashtu, kjo agjenci bashkërendon proceset e punës, ndërmerr masa dhe koordinon iniciativat kombëtare me institucione të tjera për zhvillimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore për njësitë e vetëqeverisjes vendore; evidenton, dokumenton, promovon praktika të mira të vetëqeverisjes vendore dhe i paraqet modele rekomanduese bashkive për ushtrimin e kompetencave të tyre; shërben si institucion ndërlidhës për bashkërendimin e punës së ministrisë përgjegjëse për pushtetin vendor me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë; koordinon dhe monitoron zbatimin e masave, që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian ose marrëveshjet ndërkombëtare, për aq sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore; mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore për krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik për monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore; kryen detyrat e Sekretariatit Teknik të Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, sipas legjislacionit në fuqi; miraton dhe publikon raportin vjetor të veprimtarisë së AMVV-së dhe raporton te ministri sa herë që i kërkohet për veprimtarinë e saj.

AMVV-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

AMVV-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili organizon, drejton dhe përgjigjet për veprimtarinë e saj.

Drejtori i përgjithshëm i AMVV-së emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për pushtetin vendor.

Marrëdhëniet e punës së punonjësve të AMVV-së rregullohen me Kodin e Punës. Ata emërohen, lirohen ose shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm i AMVV-së.

Organika dhe struktura e AMVV-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

Deri në miratimin e strukturës dhe organikës, sipas këtij vendimi, AMVV-ja do të funksionojë sipas strukturës dhe organikës në fuqi. Punonjësit e AMVV-së do të vazhdojnë të kryejnë funksionet, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga miratimi i strukturës dhe organikës të AMVV-së, ministri miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore./ata