Agjencia e Sigurimit të Depozitave njoftoi në raportin vjetor se gjatë vitit 2023 ka siguruar depozitat e depozituesve në 11 banka të sistemit, si dhe në 9 shoqëri kursim-krediti.

Sipas ASD-së, në fund të vitit 2023 totali i depozitave në sistemin bankar ishte 1,605 miliardë lekë, ndërsa totali i depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit ishte 10.9 miliardë lekë.

Referuar raportit të ASD-së për vitin 2023, publikuar në faqen e Kuvendit, depozitat e sigurueshme të individëve në fund të vitit 2023 arritën në vlerën e 1,2 trilionë lekëve dhe përbëjnë 80% të totalit të depozitave të sigurueshme.

Peshën më të madhe e zënë depozitat në lekë me 48%, ndjekur nga depozitat në euro me 46%.

Në fund të vitit 2023, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,511.2 miliardë lekë, duke përfaqësuar 94% të totalit të depozitave.

Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rritën me 6 %, ndërsa rritja në vlerë absolute është 86 miliardë lekë. Depozitat e sigurueshme përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme./ata