Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar rekursin e ish- kryeministrit Sali Berisha. Ai kërkonte shuarjen e masës së sigurisë  “Arrest shtëpie”, të vendosur nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Gjykata e Lartë shqyrtoi sot rekursin e Berishës, duke vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Kolegji Penal, pasi shqyrtoi në tërësi dhe në themel të gjitha shkaqet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga Sali Berisha, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 15 datë 25.01.2024, të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata e Lartë.

Berisha është nën hetim për akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ndërsa Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje./ata