Duke e përshkruar sulmin e javës së kaluar ndaj konsullatës iraniane në Damask si një “gabim”, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se Izraeli “do të ndëshkohet”.

Khamenei i bëri komentet gjatë hutbes së Ramazan Bajramit në kryeqytetin iranian Teheran, pas faljes së namazit të Bajramit në të cilin morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Duke iu referuar sulmit me raketa në ndërtesën e çështjeve konsullore të Ambasadës së Iranit në Damask të Sirisë, Khamenei tha se sulmi ndaj konsullatës iraniane përbën një sulm në tokën iraniane.

Të paktën 13 persona u vranë në sulm, përfshirë shtatë këshilltarë ushtarakë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), sulm për të cilin autoritetet iraniane fajësuan rivalin e tyre, Izraelin.

Midis të vdekurve ishte gjenerali Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë i Forcave Quds të IRGC-së në Siri dhe Liban, si dhe zëvendësi i tij, gjeneral Hadi Haj Rahemi.

“Regjimi i ligë bëri një gabim në këtë rast dhe ai duhet dhe do të ndëshkohet”, paralajmëroi udhëheqësi suprem i Iranit, duke përshkallëzuar më tej spekulimet se veprimet hakmarrëse ushtarake janë të pashmangshme.

Khamenei dënoi gjithashtu ofensivën izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar, duke theksuar se Tel Avivi është i paaftë të merret me rezistencën dhe po përdor vrasjen e fëmijëve.

Ai gjithashtu kritikoi qeveritë perëndimore, duke theksuar se ngjarjet në Gaza gjatë gjashtë muajve të fundit kanë zbuluar “natyrën e ligë të qytetërimit perëndimor”.

Udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Iranit kanë lëshuar ditët e fundit deklarata të formuluara, duke u zotuar për hakmarrje për sulmin që erdhi mes tensioneve të rritura rajonale.

Një ditë pas sulmit në konsullatën iraniane, Khamenei tha se Izraeli “do të dënohet nga duart e trimave tanë” dhe shtoi se ushtria iraniane do ta bëjë Izraelin “të pendohet për krimin”.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Hossein Amir-Abdollahian, gjatë vizitës së tij në Siri të hënën, akuzoi SHBA-në se i kanë dhënë “dritën jeshile” Izraelit për sulmin në Damask, duke pretenduar se sulmi është kryer me avionë dhe raketa të prodhuara nga SHBA-ja.

Gjeneral major Yahya Rahim Safavi, këshilltari më i lartë ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit, tha se asnjë nga ambasadat izraelite nuk është e sigurt pas sulmit në Damask.

Komentet e tij erdhën mes raporteve se 28 misione diplomatike izraelite në rajonin e Azisë Perëndimore janë mbyllur ditëve të fundit në pritje të një sulmi hakmarrës iranian.

Tensionet midis dy armiqve të mëdhenj, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike, janë përshkallëzuar pas luftës në Gaza dhe zhvillimeve të tjera, duke përfshirë sulmet ndaj interesave izraelite dhe amerikane në rajon nga grupet aleate të Iranit në Irak dhe Jemen.

Ndërkohë, ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Israel Katz, në një postim në X theksoi gatishmërinë e Izraelit për t’u kundërpërgjigjur në rast të një sulmi ushtarak iranian.

“Nëse Irani sulmon nga territori i tij, Izraeli do t’i përgjigjet dhe do të sulmojë brenda Iranit”, shkroi Katz./aa