Besimtarët muslimanë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur namazin e Fitër Bajramit, duke i mbushur xhamitë me pjesëmarrjen e mijërave besimtarëve.

Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë Islame.

Ashtu si në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup mijëra besimtarë iu drejtuan xhamive për të falur këtë namaz pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), xhamia Mustafa Pasha në Shkup ishte vendi ku u mbajt manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit. Gjatë ceremonisë u kënduan Kur’an dhe ilahije në disa gjuhë, ndërsa në hutben tradicionale të udhëhequr nga kreu i BFI-së, Shaqif Fetahi, ishin të pranishëm një numër i madh i besimtarëve dhe klerikëve fetarë.

 

Edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Fitër Bajramit, duke u mbledhur nëpër xhami dhe sheshet e vendit, ndërsa programi qendror për faljen e namazit është mbajtur në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Gjithashtu pjesë e programit qendror në Shqipëri ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.

Ndërkohë, në Kosovë tubimi qendror nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”, ku hutben e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili pasi uroi besimtarët për këtë festë foli rreth vlerave të familjes.

Mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit.

Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 11 mars dhe përfundoi më 9 prill. Traditë e festës së Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje të gjerë mes të afërmve dhe miqve./aa