Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se Garancia Sovrane për industrinë fason do të mundësojë financim për investime dhe kapital qarkullues.
“Pas një diskutimi të vazhdueshëm me sektorin, miratuam garancinë sovrane për sektorin e fasonerisë me një vlerë prej 4 miliardë lekësh. Kjo paketë ofron një mbulim me garanci deri në masën 70% të marrjes së kredive për sektorin e industrisë përpunuese. Si dhe mundëson financim për investime dhe kapital qarkullues, duke lejuar deri në 30% të financimit për blerjen e lëndës së pare”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Ai theksoi se bizneset e sektorit të industrisë përpunuese do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me kushte lehtësuese.
Marrëveshja gjithashtu, shtoi ministri, kufizon normën e interesit për kreditë dhe standardizon tarifat nga bankat, duke sjellë stabilitet dhe siguri për bizneset.
Fasoneria ka një rol të rëndësishëm në punësim dhe eksporte. Skema synon të përmirësojë aksesin në financë dhe të promovojë investime në përmirësimin e teknologjisë, si dhe rritjes së nivelit të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë./ata