Nga data 15 tetor vërtetimi i debive dhe aplikimi për lidhje të re të energjisë për fuqi të kërkuara deri në 20 kW, do të ofrohen vetëm online, përmes aplikacionit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Eriselda Malaj, Drejtuese e Departamentit të IT në OSHEE bën me dije për TV SCAN dhe shërbimet e tjera, që mund të merren online, pa qenë e nevojshme të shkohet pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit.
“Kërkesë për një lidhje të re, kërkesë për shtesë fuqie për një kontratë ekzistuese, kërkesë për ndryshim emri apo saktësim të dhënash, kërkesë për keqtarifim ose për keqfaturim dhë shërbime të tjera që ofrohen sot pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit do të ofrohen tek aplikacioni, por edhe te oshee.al sepse janë 2 platforma të ndara, por kanë të njëjtin funksion. Gjithashtu, edhe pagesën e faturës mund ta bëjnë virtuale, të shikojnë gjithë historikun e kontratës së tyre, faturat, arkëtimet dhe gjithë kërkesat apo ankesat që kanë për OSHEE-në”, – bën me dije Malaj.
Çdokush që do kryejë një aplikim përmes aplikacionit apo përmes platformës së OSHEE mund ta gjurmojë në kohë reale, ndërkohë që paralelisht çdo qytetar do asistohet edhe pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit.
“Mund ta gjurmojnë një kërkesë apo një ankesë ndaj OSHEE, mund të shohin statusin e tyre gjatë gjithë kohës. Kjo nuk do të thotë që qytetarët nuk do paraqiten te qendrat e kujdesit ndaj klientit sepse mund të ketë qytetarë që e kanë të pamundur të bëjnë aplikimet online. Ne do të ofrojnë suportin në qendrat e kujdesit ndaj klientit për të gjithë qytetarët, derisa ata të bëhen të aftë ta përdorin oshee.al dhe aplikacionin”, – thotë drejtuesja e Departamentit të IT në OSHEE.
Malaj thekson se shërbimet online u jepen vetëm titullarëve të kontratës, përmes të dhënave të sakta, ndërsa liston dhe avantazhet që sjell për të gjitha kategoritë e klientëve.
“Qëllimi i ofrimit të këtyre shërbimeve online është që të kemi një cilësi sa më të mirë ndaj qytetarit dhe të kemi një transparencë për shërbimet që ne ofrojmë për qytetarin”, – thotë Malaj.
Aplikacioni i OSHEE mund të shkarkohet nga çdo aparat celular në Play Store apo App Store./Scan