Një protestë e sotme (11 prill 2024) të Rithemelimit dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për dorëheqjen e Erion Veliajt përfundoi në përplasje me policinë para Bashkisë së Tiranës. Protestuesit hodhën molotov, tymuese dhe mollë e tentuan të heqin gardhin metalik për tu futur me forcë në institucion. Në protestë nuk munguan mesazhet politike për lirimin e Berishës, ndërsa e pranishme ishte dhe vajza e tij, Argita Malltezi.

Efektivët e Policisë së Shtetit, të organizuar për mbarëvajtjen e protestës, tentuan të largohen për t’i shpëtuar flakëve, ndërsa të tjerë mbajnë duart në vesh prej shpërthimit të fortë.

Protestuesit kanë hedhur molotov në hyrjen e godinës, ndërsa kanë tentuar të çajnë gardhin metalik dhe janë përplasur me policinë.

Protesta e dytë, e cila vjen pas arrestimit të disa zyrtarëve dhe ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës për dosjen “5 D”, ashtu si të enjten e kaluar, u kthye në tubim politik me praninë e ish-kandidatit për kryetar Bashkie, Belind Këllici, ish-truprojës së Berishës, Sali Lushaj, Klevis Balliut të protestave te Astiri, dhe vajzës së ish-kryeministrit në ‘arrest shtëpie’ për aferën Partizani dhe 2 herë non grata, Argita Malltezi.

Molotovët u hodhën pikërisht në momentin kur Këlliçi mbante fjalë para qytetarëve të mbledhur te bashkia. 

Thirrje për të përshkallëzuar përplasjen erdhën edhe nga megafoni i protestës.

Ne do të nxjerrim nga bashkia prej leckash, grabitës bëhu gati shko në SPAK, merr me vete shefin tënd.

Anëtarët e Rithemelimit në Këshillin Bashkiak tentuan të dorëzonin në zyrën e protokollit kërkesën për mbledhje urgjente, por në mesin e përplasjeve në protestë, dera kryesore e bashkisë qëndroi e mbyllur.

Në protestën e parë ishte i pranishëm edhe Ilir Meta e Gazmend Bardhi, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj më herët në një dalje publike për arrestimet në bashki, tha se mbështet drejtësinë e re të veprojë ndaj kujtdo që shkel ligjin.