Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi sot në rrjetet sociale një studim të kryer nga Meriton Nagavci – Pikasa Analytics.

 

Balla theksoi se, ky studim interesant tregon sesi u parashikuan në rrjetet sociale rezultati për zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

“Për qëllimet e kësaj analize u monitoruan faqet zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet vendore në Shqipëri në rrjetet sociale, në veçanti nga fillimi i fushatës deri një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Balla.

 

Ai tha se, kjo analizë, veç faktorëve të tjerë, tregon përgjithësisht se rrjetet sociale mund të jenë një tregues për preferencat e votimit krahasuar me reagimet e audiencës në postimet e shpërndara në faqet zyrtare të kandidatëve.

 

Balla theksoi se, “vërehet një indikacion se, interesimi i audiencës në rrjetet sociale, sipas numrit mesatar të reagimeve për post, përputhen në proporcion me votat. Ky konkluzion i përgjithshëm zbatohet edhe në të dyja rastet, kur kryetarët aktualë të bashkive apo kandidatët e rinj fituan zgjedhjet”.

 

“Në bashkitë ku rezultatet u deklaruan si “befasuese” nga opinioni, rrjetet sociale dëshmuan të kundërtën, pra të njëjtën tendencë me votat (si p.sh. kandidatët në Tropojë, Shkodër dhe Kavajë)”, u shpreh Balla.