Universiteti Bujqësor i Tiranës vazhdon të zgjerojë gjithnjë e më tepër bashkëpunimin me institucionet vendore në vend, këtë herë duke nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me bashkinë e Përmetit.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës prof. dr. Fatbardh Sallaku dhe zëvendëskryetari i bashkisë Përmet, Florand Hasani, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit, që synon ndërtimin e urave të reja të institucionalizimit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje UBT do të ofrojë trajnime, seminare, workshope nga stafi i tij profesional mbi kryerjen e studimeve për rajonizimin e kulturave bujqësore në territorin e Bashkisë Përmet, praktikat më të mira në përdorimin e tokës bujqësore, orientimin drejt bujqësisë organike, konsolidimin e kulturave bujqësore, reduktimin e erozionit dhe rreziqeve të tjera mjedisore, rehabilitimin e kanaleve vaditëse, menaxhimin e pyjeve dhe kullotave etj.
Rektori dhe stafi i UBT e zhvendosën takimin e tyre edhe në gjimnazin “Sami Frashëri” të qytetit, ku zhvilluan një bashkëbisedim me objektiv informimin dhe këshillimin e maturantëve për të orientuar studimet e tyre të larta në degët e studimit të Universitetit Bujqësor.
Pjesë e turit që ka nisur rektori i UBT dhe stafi i tij për promovimin e UBT ishte edhe gjimnazi “Abaz Shehu” në Tepelenë./ata