Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se ka nisur puna për rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara të kanalit të Finiqit, duke përmirësuar ujitjen në mbi 2 200 hektarë tokë bujqësore.
Investimet në sistemin e ujitjes, bëri të ditur Denaj, lehtësojnë punën e fermerëve me ujitje në kohë më të shpejtë për tokat e kultivuara në bashkinë Finiq dhe zonat përreth.
Denaj e cila po viziton sot Finiqin, diskutoi me banorët e zonës edhe për politikat që po ndjek qeveria për të mbështetur zhvillimin e sektorit.
“Me banorët e zonës diskutuam për punët konkrete që do të përmirësojnë jetën e tyre, siç është edhe ky investim i cili ka nisur me fazën e parë të rehabilitimit për 17 kilometra dhe do të përfundojë brenda dy viteve në gjatësinë totale të kanalit ujitës prej 35 kilometra”, tha ajo.
Krahas investimeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, sektori i bujqësisë po merr edhe një mbështetje në vlerën e 64.6 milionë eurove nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim që synon të modernizojë sistemin e ujitjes dhe kullimit në disa zona./ata