Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot bizneseve që t’i bashkohen nismës së qeverisë për rritjen e pagave, ndërsa e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për mbajtjen e kapitalit njerëzor në Shqipëri.

Në një takim me përfaqësues të biznesit në Durrës, Rama foli për situatën në të cilën gjenden sot shumë vende në Europë ku mungon krahu i punës.

“Ne vazhdojmë të përsërisim një thirrje të fortë për biznesin që të ndjekë shembullin e më të mirëve dhe të vazhdojë rritjen e pagave, sepse momenti është shumë kritik. Të gjitha shtetet e Europës janë në një moment shumë kritik ku po vijnë pak nga pak faturat e plakjes së popullsisë dhe po rritet alarmi për mospërmbushjen e vendeve të punës me krahë pune. Nuk ka më në Gjermani aq të rinj sa i duhen ekonomisë gjermane. Kjo është problematika e të gjitha vendeve”, tha Rama.

Sipas tij, “gara për të tërhequr krah pune në anën tënde do jetë gara e çdo vendi”.

“Gjermania po rend prej kohësh që të ketë sa më shumë punonjës, i duhen 7 milionë deri në 2030”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është me shumë rëndësi që ne të jemi bashkë me biznesin në këtë pjesë”.

“Ne nuk mund t’i imponojmë biznesit se çfarë pagash të vendosë, por ne nuk mund të pranojmë më që të rrimë të shikojmë. Nuk do të japim me leje ndërtimi e tenderë për kompanitë e ndërtimit që paguajnë punonjësit me pagë minimale”, tha ai.

Rama solli në vëmendje vështirësitë me të cilat do të përballet industria fason për të gjetur krah pune nëse nuk rrit pagat dhe të kalojë nga puna bazike, në një punë me cikël të mbyllur “Made in Albania”.