Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris ku pas pak minutash, ai dhe delegacioni që e shoqëron do të priten me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje. Më pak, kreu i qeverisë shqiptare do të pritet në Pallatin Elize nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Në prani të tyre do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve dhe më pas Rama dhe Makron do të kenë edhe një takim kokë më kokë.

Gjatë vizitës në Paris, Rama do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Takimet e tjera të Ramës në Paris

Takimet do të nisin në orën 8.30, Kryeministri Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e z. Jean-Paul Agon, president i grupit L'Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF, me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjoze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Pas këtyre takimeve, Rama do të pritet nga Macron dhe axhenda vijon në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Kush e shoqëron Ramën?

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja  e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.