Aksesi dhe ndihma për personat me aftësi të kufizuara gjatë procesit zgjedhor, ishte në krye të axhendës së diskutimeve mes përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kreut të bashkisë së Gjirokastër, Flamur Golemi.

Në takimin e zhvilluar sot, në qytetin e “gurtë”, bëhet me dije se u diskutua mbi rëndësinë që ka për procesin zgjedhor aksesi dhe ndihma në drejtim të zgjedhësve me aftësi të kufizuar.

“Në Gjirokastër zhvilluam takim me kryetarin e kësaj bashkie, z. Flamur Golemi, si dhe me koordinatoren e caktuar për KQZ në këtë bashki”, njofton KQZ.

“Diskutuam rreth masat që duhet të ndërmarrin institucionet publike për krijimin e lehtësirave në proceset zgjedhore, për t’i ardhur në ndihmë zgjedhësve me aftësi të kufizuara, problematikat që shoqëruan procesin e zgjedhjeve të kaluara dhe çfarë vështirësisë hasi ky target grup”, përfundon njoftimi./ata