Në Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë zhvilluar takime pune me drejtorin e Institutit të Arkeologjisë akad. A. Bunguri dhe drejtorin e Institutit të Historisë prof. Hamit Kaba

Bashkëbisedimi u drejtua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, i cili theksoi në fillim se takime të tilla janë të dobishme dhe bëhen në respekt të autonomisë së instituteve të albanologjisë dhe të përgjegjësisë së përbashkët si një sistem kërkimi i njësuar.

Akad. Adem Bunguri informoi se gjatë tre muajve të parë të vitit planet e punës janë rishikuar, me qëllim që të ketë një ndarje proporcionale të projekteve dhe ngarkesa të jetë e realizueshme. Është vendosur që çdo kërkues-arkeolog të ketë jo më shumë se dy projekte, pasi është e pamundur të ndiqen më shumë se dy projekte njëkohësisht.

Problemi i përzgjedhjes kritike të projekteve u theksua edhe nga prof. dr. Neritan Ceka, kryetar i komisionit të përhershëm të arkeologjisë.

Shqetësim institucional për legjislacionin për trashëgiminë është ndërhyrja në disa kompetenca që i takojnë ekskluzivisht Institutit të Arkeologjisë, si autoritet i vetëm për të realizuar gërmime arkeologjike për qëllime shkencore dhe për gërmimet e shpëtimit në rastin e ndërtimit të veprave të mëdha që prekin nëntokën (vepra hidrike, gazsjellës etj.). U vendos që për të propozuar amendimet në ligj të ngrihet një grup pune, i cili, ndër të tjera, të specifikojë terminologjikisht nocionin “gërmim arkeologjik” dhe ekskluzivitetin e IA për këtë, duke bërë dallimin me “hulumtimin arkeologjik”; si dhe duke mbyllur shtigjet e keqpërdorimit të trashëgimisë arkeologjike; çështje të shtruara nga akademikët Vasil S. Tole e Gëzim Hoxha.

Ndërsa prof. dr. Hamit Kaba njoftoi se planet vjetore të punës individuale janë miratuar, duke bërë përputhjet e nevojshme me përparësitë. Ai kërkoi realizimin e marrëveshjeve me arkivat për të mundësuar dhënien pa pagesë të kopjeve të dokumenteve për punonjësit e autorizuar nga IH. Për këtë ai u informua se është arritur dakordësia me DPA për shtimin e një neni në marrëveshjen ekzistuese për dhënien pa pagesë të kopjeve për qëllime studimi./ata