Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX), i ka paraqitur Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për miratim procedurën e Komitetit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike.

Kjo procedurë i mundëson Komitetit të Bursës të kryejë rolin dhe funksionet e tij në promovimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike, që të mbeten aktuale dhe të përditësuara me kalimin e kohës.

Sipas ALPEX-it, për hartimin e kësaj procedure janë marrë në konsideratë të gjitha parashikimet rregullave të tregut të energjisë elektrike, si dhe parashikimet e procedurave të Komitetit të Bursave Evropiane të energjisë elektrike, në mënyrë që procedura e ALPEX të bazohet në eksperiencën e Bursave Europiane të Energjisë dhe të bëjë të mundur promovimin e objektivit të ALPEX sh.a.

Kjo procedurë, do të dorëzohet për miratim në të njëjtin standard edhe pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës.

Në përbërje të Komitetit të Bursës do të jenë jo më shume se 10 anëtarë, ku 8 anëtarë emërohen nga anëtarët e Bursës dhe 2 anëtarë emërohen nga ALPEX. Kryetari dhe zëvendëskryetari i Komitetit të Bursës emërohen nga ALPEX-i.

Bursa Shqiptare e Energjisë, nisi zyrtarisht operimin më 17 prill 2023. Sot kjo bursë ka të regjistruar 22 anëtarë të prodhimit, tregtimit të energjisë dhe 3 të tjerë të klerimit. Nga 1 shkurti i këtij viti në tregun e ditës në avancë është edhe Kosova./ata