Banka e Shqipërisë bën të ditur se, funksionimi i sistemit të pagesave AIPS Euro (transfertat kombëtare në euro) u ka kursyer bizneseve dhe individëve mbi 37 milionë euro në 2023.

BSH-ja mundësoi vënien në zbatim të sistemit kombëtar AIPS Euro në vitin 2022, që përcakton disa komisione tavan për transfertat kombëtare në euro, që ka ulur ndjeshëm kostot për qytetarët në kryerjen e pagesave në euro brenda vendit.

Referuar statistikave të BSH-së, gjatë vitit 2023 në sistemin AIPS Euro u procesuan 249 mijë transaksione, ose 60% më shumë krahasuar me një vit më parë. Vlera e transaksioneve arriti në 4.13 miliardë euro, me një rritje vjetore 24%.

Sistemi AIPS Euro për pagesat me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara nga banka nuk duhet të jetë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme të lartë se 3 euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro.

BSH-ja bën të ditur se, anëtarësimi në zonën SEPA, të njohur si “Tregu Unik i Pagesave në Euro”, do të jetë një përfitim edhe më i madh për qytetarët dhe ekonominë, që do të mundësojë kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë./ata