Presidenti i Francës, Emmanuel Macron përshëndeti sot, siç u shpreh ai, zërin e veçantë dhe të fortë të Shqipërisë në rajon dhe skenën ndërkombëtare.

Në konferencën për shtyp Macron iu drejtua kryeministrit Rama se “në të gjitha çështjet rajonale është i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku zëri juaj është çmuar”.

Më tej Macron tha se Shqipëria dy vitet e fundit ka qenë zë i fortë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

“Së fundi ju pritët një samit rajonal në të cilin ftuat edhe Presidentin Zelensky për të forcuar dhe më shumë mbështetjen ndaj Ukrainës”, theksoi Macron.

Presidenti Macron u shpreh se “ky ishte një moment i rëndësishëm për unitetin e rajonit dhe mbështetjen ndaj Presidentit Zelensky dhe popullit të tij”./ata