Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha sot se Shqipëria dhe Franca do të kenë një Këshill për Inovacionin.

“Sot pasdite ju do të shkoni në stacionin F për nisjen e një Këshilli Francë-Shqipëri për inovacionin”, tha Macron në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Macron theksoi se “Agjencia franceze e zhvillimit do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike dhe tranzicionin energjetik dhe nënshkrimin e një huaje prej 120 milionë euro për reformën në mjedis dhe memorandumi bashkë me Ministrinë e Mjedisit do të lejojnë të kapërcejmë këto etapa edhe më shumë se ato që kemi nisur para 6 muajsh me sipërmarrësit që kishin ardhur me mua në Tiranë”.

“Shkëmbimet tona të sotme do të lejojnë të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të bëjmë bilancin e kantiereve që kemi hapur së bashku për të forcuar partneritetin tonë të çmuar në të gjitha fushat”, shtoi Macron.

Të gjitha këto kantiere, vijoi Macron kanë avancuar.

“Gëzohem për nënshkrimin pas pak të një marrëveshje qeveritare që do t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit tonë veçanërisht në fushat e menaxhimit të ujit, turizmit të qëndrueshëm dhe inovacionit”, tha Macron./ata