Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte pjesë e delegacion shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama në vizitën zyrtare në Paris, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Francës për zhvillimin e qëndrueshëm.

Përmes një video mesaxhi, Gonxhja u shpreh se, “Pata nderin të nënshkruaja në Paris, në Pallatin Elysee, në emër të Qeverisë Shqiptare, dy marrëveshje prioritare me Qeverinë Franceze, shenjë e qartë e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, që do t’i hapin rrugën zhvillimit të projekteve strategjike në sektorë të ndryshëm, thelbësorë për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Sipas tij, marrëveshja e parë, e nënshkruar me Jean-Noël Barrot, ministër për Evropën, ishte një Marrëveshje Ndërqeveritare e nivelit më të lartë, që për herë të parë hedh bazat për bashkëpunimin në projekte strategjike mbi turizmin, menaxhimin e ujit, mjedisin e mbetjet, inovacionin, dixhitalizimin, energjinë, infrastrukturën e transportin, arsimin, administratën publike, shëndetësinë dhe bujqësinë, nisma që do të realizohen në nivel dypalësh, si edhe nga sipërmarrjet më të mirënjohura franceze, falë edhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit francez.

“Marrëveshja e dytë, e bashkë-nënshkruar me Marie-Hélene Loison, zv/Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) dhe Ambasadores së Francës për Shqipërinë, Catherine Suard, i hap rrugën financimit të programit transformues të titulluar “Zhvillim i Gjelbër dhe i Qëndrueshëm”. Në kuadër të kësaj nisme, Shqipëria do të mbështetet në vlerën 120 milionë euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, fond që do të shërbejë si katalizator për implementimin e projekteve dhe reformës transformuese të ndërmarrë nga Ministria e Turzimit dhe Mjedisit”, theksoi Gonxhja.

Gonxhja shprehu një falenderim të veçantë për ekipet reciproke që punuan për negocimin dhe hartimin e këtyre marrëveshjeve, çka siç tha ai, “nënvizon momentin historik dhe të shkëlqyer të partneritetit mes Qeverisë Franceze dhe Qeverisë Shqiptare, me përkushtimin për progres e zhvillim të ndërsjelltë”./ata