Me mbylljen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024, shënohen 4 322 aplikime në masën e bletarisë, bëri të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Skema Kombëtare 2024 mbështet bletarët në vlerën 1 mijë lekë për zgjua, për fermat mbi 50 zgjoje.

Ndërsa fermat me mbi 150 zgjoje bletësh, do të financohen me 50% të masës, për çdo zgjua mbi tavanin 150 zgjoje.

Sipas MBZHR-së, bletarët e bashkuar në një grupim, do të përfitojnë të parët, duke marrë secili prej tyre në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal.

Mbështetja e Sektorit të Bletarisë shkon në funksion të rritjes së numrit të fermave, konkurrueshmërisë dhe promovimit e mbrojtjes së produkteve të bletarisë në vendin tonë./ata