Në Durrës po merr formë dita-ditës vepra infrastrukturore që do të lidhë portin e Porto Romanos me daljen e Shkozetit.
Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga loti 3 i kantierit Porto Romano-Durrës, vepër që do të lidhë zonën e Porto Romanos me segmentin Tiranë-Durrës, në daljen e Shkozetit, duke shmangur trafikun brenda qytetit të Durrësit.
Punimet në lotin e 3 të segmentit rrugor Porto Romano-Durrës kanë avancuar ndjeshëm dhe janë drejt përfundimit. Kanë përfunduar shtresat asfaltike, sinjalistika vertikale dhe horizontale në rreth 6 km, ka përfunduar ndërtimi i tre urave, si dhe kanë përfunduar punimet e ndriçimit rrugor.
Ndërkohë, po punohet në segmentin e fundit rreth 1.2 km me shtresën e stabilizantit dhe trafikndarëset.
Porto-Romano do të bëhet porti më i madh detar i Shqipërisë, duke ofruar një strukturë mallrash të klasit botëror për bizneset e rajonit dhe duke shtrirë përfitimet ekonomike në të gjithë Evropën Juglindore.
Porti i ri në Durrësit në Porto-Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë, portin e thatë në Prishtinë dhe Portin e thatë në Strugë, përveç rritjes së bashkëpunimit mes vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut./ata