Rusia ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për një tjetër “përshkallëzim të rrezikshëm” në Lindjen e Mesme, pasi Irani nisi një sulm brenda natës në territorin izraelit.
“Ne shprehim shqetësimin tonë më të madh për një tjetër përshkallëzim të rrezikshëm në rajon. Ne kemi paralajmëruar vazhdimisht se natyra e pazgjidhur e krizave të shumta në Lindjen e Mesme, kryesisht në zonën e konfliktit palestinezo-izraelit, të cilat shpesh ushqehen nga veprime provokuese të papërgjegjshme, do të çojnë në rritjen e tensionit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Ministria ruse u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira të ushtrojnë përmbajtje, duke shprehur shpresën e Moskës së vendet rajonale do të zgjidhin problemet ekzistuese në rajon me mjete politike dhe diplomatike.
Më tej, thuhet se Rusia beson se është e rëndësishme që “lojtarët ndërkombëtar konstruktiv” të kontribuojnë në këto përpjekje.
Mbrëmë, Irani nisi një sulm ajror kundër Izraelit në hakmarrje për një sulm ajror të 1 prillit në objektin diplomatik iranian në kryeqytetin Damask të Sirisë, ku u vranë të paktën shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), duke përfshirë dy gjeneralë të lartë.
Teherani ka akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit dhe u zotua të përgjigjet. Tel Avivi nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, por për muaj të tërë ka kryer disa sulme kundër objektivave iraniane në të gjithë Sirinë.
Irani dhe Hezbollahu, aleati i tij kryesor në Liban, kanë deklaruar se sulmi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar./aa