Forcat izraelite kanë kryer sulme në Rripin e Gazës gjatë gjithë natës së kaluar, duke përfshirë sulme ajrore, por edhe sulme tokësore dhe detare.
Forcat izraelite kanë vazhduar sulmet e tyre ndaj Rripit të Gazës për 191 ditë me radhë, ku kanë shkaktuar një fatkeqësi të madhe humanitare.
Sipas lajmeve të agjencisë shtetërore palestineze ‘WAFA’, sulmet gjatë natës së kaluar patën për qëllim në mënyrë specifike qendrën e qytetit Gaza në veri të enklavës palestineze.
Të paktën dhjetë palestinezë u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve intensive të avionëve luftarakë izraelitë në kampin e refugjatëve Nuseirat, qytetin Al Zahra dhe zonën Al Mughraqa në Gazën qendrore.
Disa të tjerë u vranë dhe shumë u plagosën në bombardimet intensive që luftanijet izraelite kryen në shtëpitë palestineze në qytetet Deir al Balah dhe Khan Younis, si dhe në pjesët qendrore të Rripit të Gazës.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu katër shtëpi në lagjet Al-Zeitoun, Tel al-Hawa dhe Sheikh Ijlin në Gaza, duke rezultuar në shumë të plagosur.
Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, të paktën 33.686 palestinezë janë vrarë dhe mbi 76.300 janë plagosur.
Izraeli nisi një ofensivë ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gaza./aa