Kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Brendshme të Izraelit, Shin-Bet (Shabak), Ronen Bar paralajmëroi se "siguria kombëtare do të shembet" për shkak të sulmeve të izraelitëve, të cilët uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, kundër palestinezëve dhe pronave të tyre.
Sipas televizionit izraelit "Channel 12", Bar i dërgoi letër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në lidhje me situatën e sigurisë në Bregun Perëndimor.
"Rritja e shkallës së krimit të kryer nga kolonët në Bregun Perëndimor do të çojë në shpërthimin e incidenteve dhe gjakderdhjes midis palëve, duke çuar kështu në kolapsin e sigurisë kombëtare", tha Bar.
Udhëheqësi kryesor i opozitës dhe ish-kryeministri, Yair Lapid e vlerësoi letrën e Bar për Netanyahun si "paralajmërimin e fundit të fatkeqësisë së afërt".
"Qeveria e fatkeqësive është paralajmëruar për kolapsin e sigurisë kombëtare. Ajo nuk mund të pretendojë se ne nuk dinim për të", tha Lapid.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë paralajmëruan më 18 gusht se dhuna kundër palestinezëve nga izraelitët, të cilët uzurpuan tokat palestineze në zonat e kontrolluara nga policia në Bregun Perëndimor, po shtohej.
Forca policore në Izrael është nën menaxhimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, janë vrarë 640 palestinezë në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze që nga 7 tetori 2023.
Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës, ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa