Qeveria e Malit të Zi refuzoi të njohë kërkesën në procesin e ndërmjetësimit dhe të kthejë 28 kilogramë gurë gjysmë të çmuar – opal, të cilët u sekuestruan më shumë se dhjetë vjet më parë në aeroportin e Podgoricës.
Procedura është duke vazhduar në Gjykatën Themelore të Kotorrit dhe vlera e kontestit është 300 milionë euro. Gjykata e ka ndaluar shtetin që të disponojë me këto lëndë deri në përfundimin e mosmarrëveshjes, raporton RTCG.
Procedura filloi pas padisë së Robert Fanjek dhe Sterlenski Antoni, pasi opalet e sekuestruara u shpallën pronë shtetërore dhe u vendosën në kasafortën e Bankës Qendrore të Malit të Zi (CBCG). Ata kërkojnë që të kthehen gurët gjysmë të çmuar, ndërsa vlera e mosmarrëveshjes është 300 milionë euro.
Në padi ata theksojnë se ky gur gjysmë i çmuar kapte vlerën e 300 milionë eurove dhe përveç kthimit të tij kërkojnë edhe dëmshpërblim për dëmin e tij, për zhdukjen e pesë kilogramëve, pasi tani në kasafortën e tij janë 28 kilogramë.
“Këto janë sende të cilat janë futur në Mal të Zi pa u deklaruar më parë në doganë në Aeroportin e Podgoricës, ndërsa më vonë për shkak të mosmarrëveshjeve mes personave që kanë bartur mallin në këtë mënyrë dhe kallëzimeve penale që kanë bërë ndërmjet tyre dhe pasi ata persona janë deklaruar fajtor për veprën penale nga neni 240 i Kodit Doganor, sendet janë konfiskuar përgjithmonë”, thuhet në Raportin për punën e Mbrojtësit të Marrëdhënieve Pronësore dhe Juridike.
“Gjykata Themelore në Kotorr e ka miratuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme dhe e ka ndaluar shtetin që të disponojë me këto lëndë deri në përfundimin ligjor të kontestit. Procedura është në vazhdim e sipër, ndërsa Qeveria e Malit të Zi refuzoi ta njohë kërkesën në procesin e ndërmjetësimit dhe t’i kthejë sendet”, thuhet në Raport.
Gjykata e Kotorrit ndaloi pushtetin ekzekutiv nga shitja e bizhuterive. Koleksioni i opaleve u soll nga aeroporti i Cyrihut në aeroportin e Podgoricës në korrik 2011 nga shtetasit e Afrikës së Jugut Fenjek dhe Strelenski. /tesheshi.com/