Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), ka thënë se do të nisin analizën dhe vlerësimin bashkë me institucionet e sigurisë nëse platforma e TikTokut duhet të ndalohet në Kosovë.
Gjatë raportimit të AIP-it në Komisionin për Siguri të martën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ngriti çështjen e TikTokut pas analizave të disa shteteve se mund të ketë rrezik nga kjo platformë.
Sogojeva-Dermaku ka thënë se me të ngritur kjo çështje, ata do të nisin analizën e situatës bashkë me institucionet e sigurisë, por vendimi për ndalimin e TikTokut i takon Qeverisë.
“Ne si Agjenci jemi mbikëqyrës për zbatimin e ligjit të të dhënave personale. Në këndvështrimin e këtij ligji, Agjencia nuk mund të marrë ndonjë vendim për ndalimin e kësaj platforme. Kosova, në rast se do të vendoset pas një analize nga të gjitha institucionet e sigurisë në vend, duhet të ketë një vendim të Qeverisë apo të Kuvendit, në mënyrë që kjo platformë të ndalohet”, tha ajo.
Ajo ka thënë se janë të vetëdijshëm se TikToku e mundëson marrjen e të dhënave personale. Sogojeva-Dermaku ka treguar se si Agjenci janë përballur me keqpërdorime të shumta nga kjo platformë.