– Paradë fantastike me “Treble Tour” në kryeqytetin shqiptar, e skuadrës legjendare të Premier League, e cila do të ofrojë mundësi të pafundme edhe për talentet shqiptare për trajnim dhe karrierë në arenën kontinentale.

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Skuadra fituese e kampionatit më të fortë të globit dhe një prej emrave më të spikatur të futbollit, Manchester City do të jetë më e prekshme këtë muaj, për tifozët shqiptarë të “Citizens” (Qytetarëve) që po shtojnë radhët me tifozë edhe në vendin e “Shqiponjave” nga dita në ditë, tani afrohen në mënyrë konkrete përmes bashkëpunimit me Durrës City FC.

Akademia, që do të mbledhë ajkën e talenteve shqiptare, ka njoftuar bashkëpunimin me City Football Group dhe kompleksi i ri, do të jetë i gjashti nën ombrellën e ekipit anglez.

Administratori i “Dyrrah City Football Club”, Gjergj Ndoci premtoi një eksperiencë të papërsëritshme për tifozët, me prezantimin e “Treble Tour”, trofeve ikonikë që kanë ngritur lart yjet e trajnerit Guardiola.

Të gjithë trofetë e fituar nga Manchester City, do të ekspozohen në 17 prill në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) te Kryeministria, e më pas “Treble Tour” do të vazhdojë në sheshin “Italia” si dhe në stadiumin “Air Albania” në 18 prill. Sigurisht premisa të mëdha për të patur në Shqipëri në vizitë, e ndoshta edhe miqësore të ardhshme të Manchester City.

Këto e shumë të tjera ëndërrojnë tifozët shqiptarë, nën një klimë që do të ndizet më shumë këtë verë me impenjimin e kombëtares në EURO 2024.

Shqipëria e trajnerit Sylvinho do të luajë në Evropian në një grup ferri, me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë./ata