Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Enkelejda Muçaj, e pranishme në komision, bëri të ditur se projektligji ka si qëllim të rishikojë dhe të përmirësojë kuadrin e përgjithshëm rregullator për komunikimet elektronike, me qëllim nxitjen e investimeve për rrjetet e komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta (VHCN), si ato me fibër optike, ashtu edhe ato wireless (5G).

“Projektligji rishikon rregullimet në fuqi, në lidhje me spektrin e frekuencave, regjimin e shërbimit universal, rregullat për mbrojtjen e konsumatorit, numeracionin dhe komunikimet e emergjencave, rregullat për aksesin dhe rregullimin e tregut në tërësi, bazuar në një rregullim më simetrik”, tha ajo.

Muçaj theksoi se objektivi për ndërtimin e rrjeteve me kapacitete shumë të larta është një nevojë për të gjitha zhvillimet e pritshme për ekonominë digjitale, si dhe përcaktimin e rregullave më të qarta për rrjetet e komunikimeve elektronike, të drejtat e përdorimit të frekuencave apo burimeve të tjera fundore, mekanizmat e duhur institucionalë e rregullatorë, zvogëlimin e ndarjes digjitale etj.

“Rrjetet me shpejtësi të lartë ndikojnë në ofrimin e shërbimeve te familjet dhe bizneset dhe zhvillimin e industrisë së vendit”, deklaroi Muçaj.

Zëvendësministrja shtoi se ligji i ri mbështet elementët e sigurisë së furnitorëve, duke i dhënë mundësinë AKEP-it për të kontroll të mekanizmave të sigurisë në lidhje me origjinën e sistemeve që bëhen pjesë e rrjetit të komunikimeve të Shqipërisë.

Në lidhje me funksionimin e AKEP-it, Muçaj u shpreh se projektligji synon rritjen dhe forcimin e pavarësisë së AKEP-it, në përputhje me parashikimet e direktivës së BE-së./ata