Një tjetër hap drejt forcimit të kapaciteteve të strukturave të mbrojtjes civile në nivel vendor në Shqipëri.
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në vendin tonë, së bashku me Agjencinë Kombëtare e Mbrojtjes Civile vazhdojnë mbështetjen për 12 prefektura dhe 61 bashki në vend, duke prezantuar Modulin e Trajnimit për Strukturat e Mbrojtjes Civile në Nivelin Rajonal (Qark) dhe Bashki. Përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ky modul shënon një përparim të rëndësishëm drejt forcimit të gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë në nivel rajonal dhe vendor.
Në një njoftim për shtyp, PNUD bën të ditur se, mbështetur nga Projekti RESEAL, i financuar nga qeveritë e Suedisë, Portugalisë dhe Shqipërisë, kjo nismë përfaqëson përpjekjet e përbashkëta drejt një të ardhmeje më të sigurt. Fokusi i këtyre përpjekjeve është fuqizimi i strukturave të Mbrojtjes Civile, duke synuar ofrimin e mjeteve dhe njohurive të nevojshme për të menaxhuar sfidat në mënyrë efektive.
Në Shkodër, një nga zonat më të ekspozuara ndaj risqeve nga fatkeqësitë, gjatë prezantimit, përfaqësuesit nga sistemi i Mbrojtjes Civile dhe komuniteti i donatorëve, theksuan rëndësinë e koordinimit ndërmjet palëve të interesit në të gjitha nivelet në lidhje me funksionimin e strukturave organizative të Mbrojtjes Civile, vlerësimin e fatkeqësive dhe planifikimin e menaxhimit të emergjencave.
Programi i trajnimit përfshin 12 takime, 2 ditë secili, në nivel prefekturash me pjesëmarrjen e 61 bashkive dhe zyrave rajonale që punojnë me Menaxhimin e Riskut nga Fatkeqësitë, duke amplifikuar më tej përpjekjet e përbashkëta drejt qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë, për një Shqipëri më të qëndrueshme./ata