Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi e cilësoi Luçiano Boçin si kandidat të Ilir Metës.

 

Gjatë një takimi në Elbasan, Bardhi tha se të gjithë demokratët e mbajnë mend se sa herë i kanë dhënë pushtet të pamerituar Ilir Metës, ai u ka kthyer kurrizin.

 

“Sot në takimin me strukturat e Partisë Demokratike Elbasan i falënderova që u bënë pjesë e zgjidhjes, duke mos e copëzuar alternativën e opozitës në zgjedhjet e 14 Majit. 16 vjet keqqeverisje në bashkinë Elbasan nga Partia Socialiste janë një thirrje zemre për ndryshim. Elbasani meriton më të mirën dhe duhet t’i ofrohet më e mira. Për këtë ne kemi paraqitur një listë të shkëlqyer për Këshillin Bashkiak Elbasan, me gra e burra, djem e vajza, që e duan Elbasanin dhe qytetarët e saj”, u shpreh Bardhi.

 

“Lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak kryesohet nga kryetari i Partisë Demokratike dega Elbasan Eugen Isaj, një administrator lokal i provuar, me integritet dhe përkushtim profesional e qytetar për Elbasanin. Të tillë janë të 51 kandidatët e listës së PD për Këshillin Bashkiak, duke ofruar modelin më të mirë për qytetarët e Elbasanit. Ne jemi aty ku kemi qenë në 32 vjet, në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kemi qenë dhe do të mbetemi përjetë demokratë”, vijoi ai.

 

“Në 2023 nuk mund të përsërisim gabimet e së shkuarës. Të gjithë e mbani mend se sa herë i kemi dhënë pushtet të pamerituar me votën e demokratëve Ilir Metës, na ka kthyer kurrizin dhe e ka përdorur për të fuqizuar, sjellë apo mbajtur në pushtet Edi Ramën”, tha Gazmend Bardhi.

 

Ai bëri thirrje për të votuar PD dhe për të mos çuar asnjë votë tek kandidati i Ilir Metës.

 

“Për këtë arsye, në 14 Maj, votoni Partinë Demokratike, votoni nr. 9, votoni listën e këshilltarëve të Partisë Demokratike. Kjo nuk është koha që me votën e demokratëve të fuqizohen parti të tjera, përfshirë partinë e Ilir Metës. Kjo është koha për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të siguruar të ardhmen e saj”, tha Bardhi.