Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) po vijon inspektimet në strukturat hoteliere për sigurinë e pajisjeve nën presion dhe certifikimin e sistemit elektrik.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në Velipojë për të ndjekur nga afër inspektimin nga ISHTI në këtë zonë.
Kryeinspektori i ISHTI-së, Sokol Zaimi bëri të ditur se deri tani në veri të vendit janë kryer inspektime në 60 subjekte, nga 187 gjithsej, dhe se problematika kryesore është vërejtur në plotësimin me dokumentacion të rregullt të dosjeve teknike.
Balluku siguroi se ISHTI do të këshillojë kompanitë për dosjen teknike që përmban dokumentacionin, ndërsa nuk do të aplikojë gjoba në rast të mospërmbushjes së dosjes.
Por Balluku u shpreh se subjektet nuk do të tolerohen në rast se pajisjet nën presion nuk janë të sigurta.
“Nuk do të gjobiten për dosjet teknike vetëm për rastet kur pajisjet nën presion nuk janë të sigurta”, deklaroi Balluku.
Balluku po ashtu theksoi se do të ketë sa më pak grupe inspektimi në terren dhe se do të punohet për përmbylljen e të gjitha inspektimeve brenda muajit prill, duke qenë se bizneset janë duke u përgatitur për sezonin veror./ata