Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta deklaroi sot se ndryshimet në ligjin për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar, ka si qëllim adresimin e çështjes së mungesës së përkthyesve zyrtarë për gjuhë të rralla, për të cilat nuk ka shprehje interesi për t’u certifikuar si përkthyes, si dhe të mungesës së përfaqësuesve në komisionet e posaçme për provimin e kualifikimit të gjuhës.

Në fjalën e tij në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Karameta se, objektivi i projektligjit është që të sigurojë shërbimin e përkthimit edhe për ato gjuhë, për të cilat deri më tani nuk ka përkthyes zyrtar të certifikuar.

Gjithashtu, shtoi ai, ligji synon të adresojë disa problematika, të cilat janë hasur gjatë zbatimit të deritanishëm të tij.

“Ligji synon të përmirësojë rregullat e ligjit të përkthimit zyrtar, nisur nga implementimi i tij në praktikë”, theksoi zëvendësministri.

Relatori i çështjes, Florenc Spaho, tha se me anë të kësaj ndërhyrje në ligj, synohet që të sigurohet shërbimi i përkthimit edhe për ato gjuhë për të cilat deri më tani nuk ka përkthyes zyrtarë të certifikuar.

“Nga ana tjetër ligji synon të adresojë disa problematika të cilat janë hasur gjatë zbatimit të deritanishëm të tij. Efekti i pritshëm i këtij parashikimi do të jetë ofrimi i shërbimit të përkthimit sa më shpejt të jetë e mundur nëpërmjet angazhimit të personave të tjerë, që nuk janë përkthyes zyrtarë. Me qëllim që ofrimi i këtij shërbimi të jetë tërheqës për personat që do të kryejnë shërbimin, si dhe me qëllim që të sigurohet shpërblimi për punën e kryer, është parashikuar që, në këto raste, masa e shpërblimit të caktohet në marrëveshje me subjektin, të cilit i kërkohet ndihma”, vuri në dukje Spaho.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./ata