Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “nuk ekziston një problem pronësie ekskluziv për Himarën”.
Në një intervistë televizive, Rama u ndal te çështja e regjistrimit të pronave, ndërsa theksoi se Himara është një bashki që ka problemet e veta, por të gjitha bashkitë kanë problemet e tyre.
“Himara është një bashki që ka problemet e veta, por të gjitha bashkitë kanë problemet e tyre sepse është në proces transformimi, është proces ndryshimi, është proces ku regjistrimi i titujve të pronësisë, është me probleme edhe sot e gjithë ditën për njëmijë e një arsye që nuk është vendi t’i shpjegojmë. Por nga ana tjetër Himara sot nuk krahasohet fare me Himarën që ishte përpara 10 vjetësh”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “Himara sot është një realitet komplet tjetër”.
“Himara sot shkëlqen në shumë aspekte. Himara sot është destinacion turistik ndërkombëtar. Himara sot është një vend që ka prodhuar pasuri për himariotët, sepse në fund të ditës mund të diskutojmë sa të duam dhe nuk dua të hyj në detaje, por pronat në Himarë nuk grabiten. Kjo nuk ndodh që pronat të grabiten dhe t’i marrin disa oligarkë, sic thonë. Pronat në Himarë dhe në të gjithë Shqipërinë shiten dhe të gjitha ndërtimet që bëhen në Himarë, janë me kontrata shitjeje që janë gjithmonë e më mbresëlënëse për nga çmimi me të cilin shitet metri katror sot në Himarë. Bëhet fjalë për çmime që në një pjesë të vijës bregdetare janë më të larta se në Korfuz dhe këto të ardhura sigurisht që shkojnë te familjet himariote”, shtoi ai.
“Sigurisht që në tërësinë e këtyre transaksioneve patjetër që nuk e diskutoj fare që ka transaksione të mbështetura mbi veprime të kryera në hipoteka në të shkuarën, por edhe rasti që u përmend, nuk dua të hyj fare në aspektin konkret, por përsëri bëhet fjalë për banorë të Himarës që kanë një kontest midis tyre për pronën dhe bëhet fjalë për një marrëdhënie private me ta. Kështu që, kur i them këto, nuk dua të minimizoj problemet, por dua të them që nuk ekziston një problem pronësie ekskluziv për Himarën, ky është një mit i ngritur nga politika e mbrapshtë dhe nga një seksion i saj që ka të bëjë me atë politikanin e lodhur dhe të rraskapitur që folëm”, tha Rama.
“I lodhur, i rraskapitur, por shumë efektiv në manipulimin dhe në dizinformimin e Athinës, që nuk ka të bëjë fare si mit me realitetin, sepse të njëjtin problem që e ka një himariot për të regjistruar pronën e tij në Himarë e ka një dukagjinas, një malësor në Theth, një në Kukës, një tjetër në Tepelenë dhe ky është një proces. Por po të shikojmë tërësinë, dhe ta shikojmë pikturën e madhe në pikturën e madhe, këto janë gjëra që flasin për fenomene të caktuara, por nuk janë pjesa e madhe e pikturës”, shtoi Kryeministri./ata