Kryeministri Edi Rama e cilësoi nder dhe krenari vizitën dhe pritjen që i bëri presidenti i Francës, Emmanuel Macron në Paris.

Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se “në fillimet e kësaj detyre Franca ishte thuajse e paarritshme”.

“Vizita ishte e nivelit më të lartë që protokolli francez përmban prandaj ishte i tillë edhe ceremoniali që ishte mbresëlënës për faktin se është një nder i posaçëm për Shqipërinë. Unë, të them të drejtën e përjetova me krenari këtë fakt. Sepse më kujtohet që në fillimet e kësaj detyre Franca ishte thuajse e paarritshme”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “në historinë e marrëdhënieve diplomatike me Francën, nuk ka pasur asnjëherë një vizitë zyrtare shtetërore”.

“Pas një sërë vizitash pune që unë kam bërë këtu, kjo ishte vizita që si të thuash kurorëzoi një proces”, tha ai.

Duke folur për inovacionin, Kryeministri theksoi se “kjo është pjesë e programit të përbashkët që kemi me qeverinë franceze”.

“Kemi nënshkruar një marrëveshje të nivelit më të lartë në marrëdhënie ndërqeveritare, qeveri me qeveri dhe në këtë marrëveshje ka një program ku në mënyrë specifike flitet për fusha bashkëpunimi dhe partneriteti të afërt dhe rezultati i marrëveshjes është edhe ngritja e Këshillit të përbashkët të Inovacionit që merr në konsideratë nevojën për të bashkëpunuar në funksion të kësaj epoke të re dhe nga ana tjetër për ne është një marrëveshje shumë pozitive sepse marrim përmes saj shumë nga eksperienca dhe nga dija franceze që është e nivelit më të lartë”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se “kjo pritje ishte një emocion i veçantë”.

“Ishte një emocion i fortë që e kam përjetuar në një farë mënyre kur erdha këtu në Paris, për të marrë ‘Legjionin e Nderit’, nga presidenti François Hollande dhe rruga drejt Elysee ishte një kthim në vitet ’90, kur unë këto rrugë dhe këtë qytet e shikoja dhe admiroja bashkë me gjithë këto godina ku as nuk më shkonte mendja ndonjëherë se do hyja. Ndërkohë ‘Les Invalides’ është sot një destinacion nga më prestigjiozët i konceptuar dhe ndërtuar nga Luigji I XIV, mbreti Diell ku gjendet edhe varri i Perandorit, i Napoleonit edhe ku kryhen këto rituale të Republikës Franceze që në ritualet e veta protokollare dhe shtetërore është vendi që i ka dhënë shumë mësime dhe nga ku shumë kanë kopjuar në të gjithë botën”, theksoi ai./ata