Partia Demokratike thirri sot një protestë në Portin e Durrësit për të kundërshtuar mbërritjen e disa kontenierëve në këtë port, për të cilat PD thotë se janë me mbetje toksike.

Protestuesit bllokuan dy anët e rrugës së hyrjes në port, pasi sipas tyre, mbërritja e mbetjeve përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Nënkryetari i PD-së, Oert Bylykbashi në fjalën e tij deklaroi se mbërritja e këtyre mbetjeve në Portin e Durrësit, e kthen atë në një skenë krimi dhe se prokuroria duhet të jetë aty për të sekuestruar kontinierët.

“Nëse nuk do të kishin reaguar organet e shteteve tjera nuk do të merrnin vesh asgjë, ata do të vinin dhe të groposeshin pa asnjë dijeni për qytetarët.

Ky është model kriminal qeverisëse, është detyra jonë qytetare të reagojmë fort për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë skandal. Kjo është një skemë krimi gjigande dhe ky port është përbashkues i interesave të politikës dhe krimit”, deklaroi ai.

Ambientalisti Sazan Guri bëri thirrje të kryhen analizat për mbetjet toksike që do të ankorohen në Portin e Durrësit, pasi sipas tij, analiza do të tregonte se ku mund të groposeshim mbetjet, apo nëse duhen pranuar apo jo./ata