Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nikolla e falënderoi Presidenten Osmani për organizimin në Prishtinë të Forumit Ndërkombëtar “Gratë, Paqja, Siguria”, në kuadrin e Samitit për Demokraci, nismë që po krijon një proces pozitiv për adresimin e çështjeve me ndjeshmëri dhe impakt të madh global.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar po mbështet zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Presidentja Osmani vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve për përballimin e sfidave të përbashkëta, vuri në dukje kontributin e dy Kuvendeve në këtë bashkëpunim, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e delegacioneve të Kuvendit të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në Këshillin e Evropës, dhe nënvizoi se sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Besimi i madh i botës demokratike te Shqipëria është besim dhe vlerësim te kombi shqiptar, u shpreh Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani dhe Kryetarja Nikolla diskutuan edhe mbi sfidën e madhe që Kosova dhe Shqipëria kanë këtë javë: votimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nikolla e siguroi Presidenten Osmani se delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në AP të KiE do të vijojë deri në minutën e fundit lobimin me përkushtim maksimal, derisa Kosova të bëhet zyrtarisht anëtare e Këshillit të Evropës./ata