Konferenca ndërministeriale e vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë "Bashkëpunimi për sigurinë dhe flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor" ka mbledhur në Shqipëri zyrtarë të ministrive të brendshme dhe zyrtarë të tjerë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Takimi i sotëm që po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ka në fokus diskutimet mbi menaxhimin e integruar të kufijve e flukseve migratore, si dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar.

Në fjalën përshëndetëse në hapje të takimit, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, tha se asnjë vend në rajon nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm dhe sipas tij, kjo konferencë nënkupton angazhimin e përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim.

"Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel më të madh profesionalizmi si dhe kanë filluar jo vetëm të aspirojnë standardet evropiane, por t’i venë në zbatim duke pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë por njëkohësisht edhe përmes bashkëpunimit rajonal", është shprehur Balla.

Ministri Balla ka theksuar se në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, sipas tij duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore.

Balla ka shtuar se përmes partneritetit me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), kanë arritur të rrisin ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar.

Sipas ministrit Balla, me gjithë masat e ndërmarra, çështja e migrimit të parregullt përmes Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë e vazhdueshme./aa