Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Greqi u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së Athinës, Haris Doukas.

Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro ndau momente nga takimi, ndërsa theksoi se Doukas është edhe kryebashkiak i mijëra bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë prej vitesh në kryeqytetin grek.

Gjatë takimit, Kumbaro dhe Doukas diskutuan për rritjen turistike në të dy vendet nën praktikat e qëndrueshme të zhvillimit.

“Përveçse si atraksione turistike në Mesdhe, na bashkojnë edhe plot projekte të mëdha, siç është Samiti i Bashkive të Ballkanit B-40 që kryesohet këtë vit nga Tirana me një kalendar eventesh duke na afruar edhe më shumë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhet në Athinë me ftesë të ministrit grek të Mjedisit dhe të Energjisë si dhe të ministrit të Jashtëm në kuadër të konferencës  ndërkombëtare “Oqeani ynë’”, një takim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e shëndetshme të planetit./ata