Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton për vitin 2023 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çela e cilësoi këtë vit si një vit sfidues prej hartës së re gjyqësorë.
‘Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim.’- tha Çela.
Prokurori i Përgjithshëm u ndal edhe numri i prokurorëve.
‘Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: - 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike).’- tha Çela.
Kryeprokurori Çela tha se në vitin 2023 janë trajtuar 55 mijë e 253 kallëzime, 9.4% më pak se në 2022
‘Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5,2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22,2 % në krahasim me vitin 2022.’- tha Çela./Shqiptarja